FSHZH financon ndërhyrjen në aksin rrugor Burrel – Skuraj
Aksi rrugor nacional Burrel – Skuraj do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni për të përmirësuar gjendjen e tij. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka financuar projektin për “Ndërhyrje për përmirësimin e konektivitetit rajonal dhe infrastrukturës urbane, etj: Projektimi dhe zbatimi i punimeve për rikonstruksionin e rrugës Skuraj – Burrel, me gjatësi 35.6 km, Bashkia Mat dhe Kurbin”. Sipas të dhënave të publikuara në Agjensinë e Prokurimit Publik, Afati i përgjithshëm i realizimit të kontratës është 15.5 muaj nga data e nënshkrimit të saj, ku 14 javë (3.5 muaj) janë për dorëzimin e projektit të zbatimit për Fazën V, ndërsa 12 muaj për realizimin e punimeve sipas grafikut të punimeve. Data e njoftimit të tenderit është bërë me 25 Shtator dhe data e mbylljes së dorëzimit të ofertave ka qenë data 27 Tetor. Tashmë, pritet që brenda pak ditëve të bëhet shpallja e fituesit të projektimit dhe zbatimit të projektit. Fondi i akorduar për këtë investim është në vlerën e rreth 9.44 milion euro. Burime bëjnë me dije se me këtë buxhet do të ketë ndërhyrje të pjesshme në segmentet ku karrexhata ka pësuar deformime dhe riveshje asfaltike në segmentet e tjera ku nuk ka deformime. Megjithatë, projekti ende nuk është bërë publik dhe se pritet që në terren të zbresin specialistët e fushës për ta përpiluar.