Kjo është gjendja aktuale e rrugës që lidh Matin me Mirditën që kalon nga Lapidari në Zenisht deri në Rrëshen, e trumbetuar si “Koridori i Matit”. Gropat e hapura në të, jo vetëm pengojnë qarkullimin e automjeteve të vogëla, por janë kthyer në një problem serioz edhe për mjetet e tonazhit të rëndë. Siç duket nga pamjet, thellësia e gropave është e konsiderueshme dhe kur ato janë të mbushura me ujë, drejtuesit e mjeteve kalojnë me frikë për shkak se mund të dëmtojnë automjetet. Rruga e ndërtuar që në vitin 2013 ka mbetur pa pronar për më shumë se 1 dekadë. Drejtuesit e mjeteve thonë se kalimi në këtë rrugë është një tmerr i vërtetë dhe se ata duhet të përballen çdo ditë me gjendjen e këtij aksi rrugor shumë të rëndësishëm për pjesën perëndimore të Matit dhe të gjithë ata që qarkullojnë drejt Rrëshenit apo Kosovës. Ata i bëjnë apel strukturave që të ndërhyjnë sa më parë pasi jo vetëm dëmtohen ekonomikisht, por ju rrezikohet edhe jeta teksa kalojnë në këtë rrugë të degraduar si mos më keq.
Të kontaktuar nga “Mat Televizion” për fatin e të ashtuquajturit “Koridori i Matit”, përfaqësues të autoritetit Rrugor Shqiptar thanë se më në fund ky aks ka kaluar në inventarin e tyre. Kjo është bërë me vendimin numër 234 të Këshillit të Ministrave, i cili tashmë është botuar në fletoren zyrtare. Po ashtu, përfaqësues të ARRSH thanë se tashmë do të dërgohen ekspertë për vlerësimin e gjendjes dhe nevojës së ku do të ndërhyhet e më pas rruga do të jepet për mirëmbajtje.