Nëse duhej të kishte një ndëshkim që të bëhej shembull, duhej të ishte ndaj gjyqtarit Olsi Ferhati i cili i anuloi një gol krejtësisht të pastër Burrelit në ndeshjen ndaj Dinamos pikërisht në minutën e fundit të lojës. Dashakeqësia e gjyqtarit Ferhati u pa nga të gjithë, por FSHF vijon të mbrojë një gjyqtarë të tillë.
Por ç’është më e keqja, FSHF ka ndëshkuar një pjesë të stafit të Burrelit dhe kapitenin e ekipit Taulant Sefgjinaj. Në mbledhjen e një dite më parë të komisionit të disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, është vendosur që Samuel Nikaj të dënohet me 8 ndeshje pezullim nga aktiviteti për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Drejtorin Teknik të Ekipit, Klevis Gjoka me 8 ndeshje pezullim nga aktiviteti për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Kapitenin e Burrelit, disiplina e ka dënuar me 10 ndeshje pezullim nga aktiviteti për sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Të gjitha këto dënime kanë ardhur pas protestës së drejtë ndaj vendimit skandaloz të gjyqtarit Olsi Ferhati.
FSHF e ka ndarë vetë se kush do të jetë ekipi që do të kalojë nga grupi A i kategorisë së parë në Superligë, e mesa duket preferenca e këtij sezoni është Dinamo.
Ekipi matjan do të drejtohet për pjesën e mbetur të kampionatit, nga zëvendëstrajneri Renato Hoti.