FUTBOLL / BURRELI BARAZON NË TRANSFERTËN E VLORËS, MATJANËT MARRIN NJË PIKË TË RËNDËSISHME
Skuadra jonë e futbollit Burreli i ka nisur pozitivisht edhe ndeshjet jashtë fushe. Matjanët arritën të marrin një pikë në përballjen e së premtes kundër ekipit të Flamurtarit, ndeshje e cila u luajt në qytetin e Vlorës. Edhe pse vendasit kanë dominuar ndeshjen me lojë, matjanët kaluan në avantazh me golin e Xhabrahimit në pjesën e dytë. Ai shënoi nga pika e bardhë pas penalltisë së akorduar nga gjyqtarja Emanuela Rusta, në minutën e 69 duke tundur rrjetën e portës vendase si dhe skuadrën e tij në avantazh. Flamurtari u hodh në sulm me shumë forca, por gjeti golin vetëm në minutën e fundit shtesë me Pjeshkën, i cili shfrytëzoi një pasim të gjatë dhe mungesën e vëmendjes nga mbrojtja matjane, duke bërë që ndeshja të mbyllet në barazim me gola e me pikë. Trajneri i ekipit të Burrelit, Samuel Nikaj e konsideroi barazimin një meritë të skuadrës së tij, teksa deklaroi se Flamurtari ka një buxhet 20 herë më të madh se Burreli, por vendosmëria e lojtarëve matjanë bëri që rezultati i lojës të dilte në barazim. Trajneri i ekipit të Flamurtarit, Oltjon Kërnaja ia lë fajin fatit në këtë përballje, pasi sipas tij ekipi vlonjat i zbatoi detyrat me përpikmëri dhe dominoi me lojë gjatë gjithë kohës.