Futboll / Ndeshjet e javës së 11 do të luhen fundjavën e ardhshme
Të gjitha ndeshjet e javës së 11 të kamopionatit të kategorisë së parë janë shtyrë për javën e ardhshme. Takimi i fundit që do të zhvillojë ekipi ynë kombëtar për garën e “UEFA Nations League” kundër Bjellorusisë të dielën e 15 Nëntorit ka bërë që Federata Shqiptare e Futbollit të shtyjë ndeshjet e kampionatit. Kështu, sipas kalendarit të publikuar nga FSHF, ndeshjet e javës së 11 do të luhen të shtunën e 21 dhe të dielën e 22 Nëntorit. Kjo javë e vë Burrelin përballë një tjetër sfide të vështirë pasi do të presë në stadiumin “Liri Ballabani” ekipin e Pogradecit i cili aktualisht ndodhet në vendin e 5 në kuotën e 17 pikëve. Këto dy javë pushim pritet t’i shërbejnë më shumë trajnerit të skuadrës matjane, Klevis Dalipi për ta njohur dhe përgatitur më mirë grupin që do t’i bëjë ballë garës tepër të fortë në kategorinë e parë. Dalipi e mori drejtimin e skuadrës së Burrelit në fund të muajit të kaluar, ndërsa ju desh që të zhvillonte disa ndeshje shumë shpejt, ende pa u njohur mirë me ekipin. Megjithatë, në ndeshjen e fundit arriti të merrte një pikë shumë të rëndësishme ndaj Besës së Kavajës në transfertë. Aktualisht kategoria e parë kryesohet nga Iliria me 21 pikë, ndjekur nga Bylis, Kukësi e Besa me nga 18 pikë, ndërsa tabela mbyllet nga Burreli me 7 pikë dhe Oriku me 2 pikë.