Ndotja e mjedisit në Bulqizë vijon të jetë një situatë shqetësuese. Këto pamje që shihni janë të Zallit të Bulqizës i cili prej vitesh është kthyer në një kantier mbeturinash të konsumit të përditshëm e në shumë vende ka edhe mbetje të rrezikshme spitalore. Zalli i cili kalon nga njësia administrative Fushë – Bulqizë e përfundon në Drinin e Zi në Maqellar është tmerrsisht i ndotur në të gjithë gjatësinë e tij.

Shoqatat mjedisore në Bulqizë kanë dhënë alarmin prej kohësh, por deri tani askush nuk ka marrë masa. Drejtori i Shoqatës “Ekspertët e rinj mjedisor”, Danjel Bica tha se situata është alarmante, ndërsa pushteti vendor në Bulqizë vijon të heshtë. Sipas tij, ndotja e zallit të Bulqizës pos jell pasoja të rënda në mjedis e bujqësi në të gjithë zonën ku ky ujë përdoret për vaditje.

Bica thotë se për këtë problem i është kërkuar disa herë bashkisë marrja e masave, por deri tani jo vetëm që nuk e ka pastruar zallin e Bulqizës, por nuk ka vendosur as kontenjer mbeturinash për banorët që të mos i hedhin më mbetjet në këtë vend.