Kryeministri Edi Rama ka qenë ditën e sotme në ceremoninë e vendosjes së yllit të nënkomisarit Saimir Hoxha, në murrin e Dëshmorëve të Atdheut.

Mes reshjeve të shiut kryeministri ka mbajtur një fjalim të shkurtër, ku ka theksuar se fëmijët e 44-vjeçarit nuk do të lihen kurrë vetëm nga shteti.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë familjarë të viktimës, kolegë dhe zyrtarë të ndryshëm.

Fjalimi i Ramës:

Sot ne jemi këtu për të mbajtur ceremoninë e vendosjes së yllit në murin e kujtesës së Policisë së Shtetit pranë yjeve të gjithë dëshmorëve të trupave tona të rendit e sigurisë në harkun e këtyre viteve.

Është një kohë e gjatë qysh se është vendosur ylli i mëparshëm dhe në një kuptim është lehtësim, që në gjithë morinë e atyre yjeve në atë mur, në këto vite, numri i rasteve tragjike është më pak se gishtat e një dore. Nga ana tjetër statistikat  s’kanë rëndësi, sepse një jetë e vetme vlen sa gjithë jetët kur ajo humbet.

Nuk dua të zgjatem se besoj që ky shi që po bie rrëmbyeshëm i thotë më mirë se sa të gjitha fjalët dhe ndjenjat tona.

Dua të them se sidoqoftë ndjej një lehtësim kur mendoj se fëmijët e dëshmorit nuk do të jenë vetëm. Ne do të përkujdesemi për ta siç kemi nisur për familjet e tij deri kur të arrijnë moshën e pjekurisë dhe të dalin me këmbët e tyre në jetë.

170% e pagës për fëmijët nuk thotë asgjë në raport me humbjet, natyrisht që as ato 50 mijë lekë nuk thonë asgjë, por sidoqoftë është një lehtësim të mendosh se fëmijët do të jenë të shoqëruar përdore jo vetëm nga nëna, gjyshërit, por dhe nga shteti, nuk do i mungojë asgjë njësoj sikur babai të ishte në jetë, përveç mungesës së tij që askush nuk e zëvendëson dot. Lavdi dëshmorëve të atdheut që sot iu bashkohet dhe ylli i Saimirit.