Fshatrat e Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit vijojnë të përballen me gjendjen e amortizuar të rrugëve të tyre. Dy fshatra të kësaj njësie administrative si ai Xibër – Hane dhe Ketë, janë drejt izolimit për shkak të problemeve që ka rruga që i lidh ato me qendrën e njësisë administrative.
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve thonë se prej një viti në rrugë nuk është hedhur qoftë një lopatë zhavor, duke e lënë atë totalisht në mëshirë të fatit. Banorët thonë se si kurrë më parë ndjehen të braktisur nga pushteti vendor i cili nuk po bën asgjë për ta, minimalisht për infrastrukturën rrugore. Të vetmet mjete që mund të lëvizin në këto rrugë me shumë vështirësi janë ato të pasagjerëve dhe fuoristradat katër e herë katër, ndërsa të tjerat e kanë të pamundur.
Në të njëjtën gjendje janë edhe rrugët e fshatrave të tjerë të kësaj njësie administrative e cila ndonëse është më e vështira, banorët thonë se nuk po shohin shërbime apo investime për të përmirësuar jetesën e tyre.