Që prej tërmetit të vitit 2019, godina e Qendrës Shëndetësore të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit ka qenë totalisht jashtë funksionit. Kjo për shkak të dëmtimit të madh që pati pësuar si pasojë e lëkundjeve të fuqishme të tërmetit të më shumë se katër viteve më parë.
Dëmtimin e shtoi edhe tërmeti i vitit 2022 në Xibër, duke bërë që ajo të mos kishte asnjë shank të rikthehej në funksion qoftë edhe duke e rikonstruktuar. Prej të paktën 4 vitesh, shërbimi shëndetësor në Njësinë Administrative Xibër merret në ambjentet e shkollës së mesme të bashkuar. Një prej klasave të kësaj shkolle është përshtatur për shërbimin shëndetësor i cili funksionon deri në orën 14:00.
Ndërkohë, pak ditë më parë, ka nisur shembja e godinës së vjetër të qendrës shëndetësore. Përfaqësues të Bashkisë Klos thanë se brenda pak ditësh pritet të zbatohet projekti për ndërtimin e një qendre të re shëndetësore, e cila nuk do të jetë me përmasat e qendrës ekzistuese, por do të jetë e mjaftueshme për të marrë shërbimin parësor shëndetësor për banorët e Njësisë Administrative Xibër.
Ende nuk ka detaje publike të projektit në fjalë, ndërsa mësohet se ai do të financohet nga donatorë, dhe nuk do të jetë investim me buxhetin e Bashkisë Klos apo të Ministrisë së Shëndetësisë.