Banorët e fshatit Xibër – Murrize, në Njësinë administrative Xibër në Bashkinë e Klosit, janë ankuar për inertet që dalin nga tuneli i parë i rrugës së Arbrit. Sipas banorëve, inertet, që vijojnë të hidhen që kur kanë nisur punimet për hapjen e këtij tuneli, u kanë shkaktuar një dëm të madh në tokat bujqësore, frutikulturë dhe infrastrukturë rrugore. Ata shprehen se shqetësimet e tyre i kanë bërë të ditura edhe pranë autoriteteve vendore, Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së territorit etj, por që deri tani nuk është bërë asnjë veprim. Nga ana tjetër, banorët thonë se dëmi vijon të shkaktohet, me ndotjen e ujit të zallit, dëmtimin e kanaleve vaditëse, të pemëve frutore etj.
Banorët e fshatit Xibër – Murrize thonë se në fillim ju është premtuar nga firma që ndërton rrugën e Arbrit se nuk do të dëmtohen nga punimet që do të kryhen, por që tashmë askush nuk mban përgjegjësi për atë që ata e cilësojnë si “masakër mjedisore”.
Thuajse të gjitha inertet që kanë dalë nga hapja e dy tuneleve të Murrizit në rrugën e Arbrit janë depozituar në anën e fshatit Xibër – Murrize, duke zënë një sipërfaqe të konsiderueshme të tokave të banorëve të zonës.