Infrastruktura rrugore në fshatrat e Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit lë për të dëshiruar. Prej më shumë se 6 muajsh në këto rrugë nuk është bërë asnjë ndërhyrje duke u degraduar në këtë mënyrë. Mjetet e vogëla e kanë pothuajse të pamundur qarkullimin në to për shkak të gropave të mëdha, baltës dhe kanaleve të hapura përmes karrexhatës. Problematike situata mbetet në fshatin Xibër – Hane e kryesisht në rrugët e lagjeve Tejlum dhe Hanej. Në këto lagjedisa nga mjetet kanë mbetur në rrugë pasi me shirat e fundit e kanë të pamundur qarkullimin. Drejtuesit e mjeteve thonë se askush nuk po interesohet për shtrimin e këtyre rrugëve apo mirëmbajtjen e tyre. Tashmë në stinën e dimrit, banorët thonë se do të mbeten të izoluar. Vërshimi i ujërave të shiut në këto rrugë është një ndër problemet aktuale, ndërsa me nisjen e ngricave, banorët mund të mbeten të izoluar.