Banorët e tre lagjeve në fshatin Shkallë të Njësisë Xibër, në bashkinë e Klosit, ende janë në pritje të rregullimit të urës që e përdorin për nevoja të ndryshme. Më problematike situata paraqitet për banorët e lagjes “Meta”, të cilët e kanë si alternativën e vetme për të dalë në rrugën e Arbrit, por edhe banorët e lagjeve “Hoxha” e “Musta” të cilët kanë toka bujqësore matanë rrugës së Arbrit. Vebi Meta thotë se kërkesa e tyre nuk u mor parasysh gjatë ndërtimit të rrugës së Arbrit edhe pse kanë kërkuar që ura të mos dëmtohej dhe të lihej akses në rrugë. Ai shton se për këtë problem ka kërkuar zgjidhje edhe nga pushteti vendor, por as ai nuk ka marrë asnjë masë për ta zgjidhur këtë problem për komunitetin. Më shqetësuese, sipas tij, situata bëhet gjatë stinëve me reshje, ku shtohen prurjet e zallit dhe kalimi bëhet thuajse i pamundur.
Në këto kushte, rreth 40 familje dhe nxënës shkollash po përballen me izolim dhe rrezik të shtuar për sigurinë e jetës, pas dëmtimit të urës nga firma zbatuese e punimeve të rrugës së Arbrit.