NIS PUNA PËR ASFALTIMIN E RRUGËS DUKAGJIN – MACUKULL

NIS PUNA PËR ASFALTIMIN E RRUGËS DUKAGJIN – MACUKULL

Brenda një harku kohor të 5 muajve banorët e Njësisë Administrative Macukull në Bashkinë e Matit do të kenë rrugën e asfaltuar. Prej pak ditësh ka nisur puna për përgatitjen e segmentit që kishte mbetur pranë shkollës së fshatit Dukagjin dhe vazhdon deri në 4.6 kilometra në Macukull. Kompania zbatuese e projektit vijon punën për hedhjen e shtresës së fundit të zhavorit, që më pas të bëhet gati për të hedhur shtresat asfaltike. Për të parë nga afër procesin e punës ishte Kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë, Elson Reçi. Kryebashkiaku Bojni tha se me këtë investim, të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, zgjidhet një prej problemeve më të mëdha që përballej Njësia Macukull prej më shumë se 3 dekadash. Asfaltimi i rrugës së Macukullit pritet të ketë impakt edhe në rrikthimin e banorëve për të rregulluar banesat e tyre që i kanë lënë që kur janë larguar nga aty.