Xhelal Mziu mundi PS në Dibër, pasi PD arriti të merrte tre mandate, ndërsa kundërshtarët dy. Por sipas tij në një lidhje live me MCN TV, në 3-4 ditët e fundit në atë qark dhe në të gjithë Shqipërinë nisën që të majtët të blinin vota dhe t’u bënin terror votuesve. Por i pyetur nga gazetarja Klementina Cenkollari nëse Basha duhet të mbajë përgjegjësi për humbjen e partisë që drejton, Mziu iu shmang përgjigjes duke thënë:
“Ka më shumë se 3 muaj që bëj fushatë në Dibër, një rreth që ka eksperimentuar Rama si mund të merren votat pa vullnet dhe është dosja 184, ku doli Damian Gjiknuri, e kandidatë të tjerë, në 2017-n me zë dhe figurë si tjetërsojnë votën. Kam shkuar në çdo lagje dhe njësi dhe kam kontaktuar me mijëra demokratë dhe socialistë, dhe secili ka qenë i gatshëm për të pritur datën 25 prill për të rrëzuar këtë të keqe të madhe. Nëse deri para 1 jave isha i bindur të merrja 4-5 mandate, në 10 ditët e fundit ka patur një arsenal shtetëror, duke përdorur çdo instrument , duke filluar nga terrori ndaj çdo votuesi, atyre që punojnë në shtet, dhe joshje dhe me lekë”.
Cenkollari: Keni prova për këtë? Deklaratat se do të vriten njerëz nëse vidhen votat. Kjo do të thotë se nuk pati vjedhje?
Mziu: Ka prova është ajo e Maqellarës, kemi filmuar dhe prova të tjera. Kriminale është të tjetërsosh apo imponosh votën. Nuk është krim mbrojtja e votës apo fjala e lirë. Ajo që ka ndodhur në Dibër ka ndodhur në gjithë Shqipërisë. Ndërtimi pa leje ishte vendimtare në tjetërsimin e votës.
Cenkollari: Çfarë do të ndodhë me Partinë Demokratike tani, do qëndroni në opozitë edhe 4 vite apo do pranoni ftesën e zotit Rama për bashkëpunim?
Mziu: PD si parti e fjalës së lirë dhe solli pluralizëm, sot kemi një parti shtet që ka gjithë funksionet politike administrative qendrore dhe vendore, është subjekt politik që ka treguar se ka standarde. Kjo qeveri me këtë kryeministër, jo vetëm që nuk përfaqëson votat në Parlament. E rëndësishme nëse i shtojmë votat e tjetërsuara, të vjedhura në gjithë Shqiptarinë, do kishim fitoren më të madhe. Fryma në 3-4 ditë para zgjedhjeve do konvertohej në rekord historik si e ’92-shit për fitore.