Megjithëse u duk si një pranverë e mbarë për sektorin e bujqësisë, dëbora e rënë me datën 1 Prill ka shkaktuar pasoja të mëdha në pemtari. Fermerët që kultivojnë vreshta rrushi nuk janë të kënaqur me prodhimin e këtij viti pasi është në sasi më të vogël se vitet e kaluara.

Fermeri Mazllëm Çeliku nga fshati Kurdari i Njësisë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit thotë se në krahasim me vitin e kaluar këtë vit ka shumë më pak prodhim, për shkak të dëborës dhe të ftohtit të fillimit të Prillit. Një tjetër faktor sipas tij ndikues është edhe situata e krijuar nga pandemia që në muajin Mars kur fillimisht ju kërkua edhe fermerëve që të mos dilnin jashtë. Megjithatë, ai shprehet se nuk ka mbetur pa asgjë dhe se prodhimin e siguruar e ka të sigurtë në treg.

Në një situatë të ngjashme janë përballur edhe fermerët e pemtarisë ku shumë prej tyre nuk kanë patur fare prodhim e një pjesë vetëm pak.