Kryesuesi i listës së PS-së në Dibër, Lavdrim Krashi deklaroi sot se, qeveria e ka kaluar aktin në parlament për mundësimin e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë aty ku jetojnë, por për fat të keq nuk e gjeti mirëkuptimin e opozitës.
I pyetur në një intervistë televizive për votimin e diasporës Krashi tha se, “më vjen keq. Por unë jam dhe realist dhe e kuptoj se pse ka ndodhur kjo. Kjo nuk ka ndodhur nga mungesa e dëshirës dhe e punës që ka bërë qeveria. Kjo për mua duhet të fillojë që ditën e parë pas zgjedhjeve që formohet qeveria për të folur dhe për vendosur, jo për të drejtën e votës, se të drejtën e votës nuk na e heq njeri. Të gjithë kemi të drejtë për të votuar, por mundësimin që qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë të votojnë atje ku jetojnë”.
“Qeveria e ka kaluar aktin në parlament ose ligjin që i referoheni ju këtu. Për fat të keq nuk e gjeti mirëkuptimin e opozitës, e cila ju e dini më mirë se unë, u largua nga parlamenti, braktisi parlamentin në vend që të ndihmonte për të bërë aktet nënligjore, por në fund u arrit aty ku ligji, akti i parlamentit u miratua dhe iu kalua KQZ-së për të nxjerrë aktet nënligjore”, tha Krashi.