Ky vit shkollor, që ka nisur në fillim të kësaj jave, i ka gjetur shkollat e rrethit të Matit me më pak nxënës. Sipas të dhënave nga ZVA-të përkatëse Mat e Klos, rënie të numrit të nxënësve ka patur në klasat e para, por edhe në numrin e përgjithshëm të shkollave.

Kështu në të gjitha shkollat e Bashkisë së Matit, kanë nisur këtë vit të ri shkollor vetëm 166 nxënës në klasën e parë nga 205 që ishin vitin e kaluar. Në total për vitin shkollor 2024 – 2025 janë 2.313 nxënës nga 2.560 që ishin vitin e kaluar.

Në shkollat e Bashkisë Klos e kanë nisur këtë vit shkollor 110 nxënës  nga 130 që ishin vitin e kaluar. Ndërkohë që numri total i nxënësve në këtë Bashki vitin e kaluar ka qenë 1.500 ndërsa këtë vit rezultojnë vetëm 1.480.

Shkaku kryesor i rënies së numrit të nxënësve në të gjithë vendin tonë sipas ekspertëve është ulja e lindshmërisë. Por një tjetër fenomen mbetet edhe emigrimi i të rinjve jashtë vendit, vetëm ose bashkë me familjet e tyre.

Sa i përket numrit të shkollave, në të dy bashkitë e rrethit Mat janë në të njëjtin numër pasi këtë vit të ri shkollor nuk ka patur mbyllje të institucioneve arsimore, që do të thotë se këtë herë, ulja e numrit të nxënësve nuk ka ndikuar në largimin e mësuesve nga puna.