Numri i rasteve aktive me covid-19 në Qarkun Dibër ka ardhur në rritje ditët e fundit. Në total aktualisht numërohen afro 80 qytetar të infektuar me koronavirus. Rastet më të shumta të infektimeve ditët e fundit janë shënuar në Dibër ku vetëm të dielën u zbuluan 6 raste të reja. Tre raste u zbuluan në Mat ndërsa në Klos e Bulqizë, asnjë rast i ri.

Qarku i Dibrës vijon të qëndrojë i fundit në shkallë vendi sa i përket infektimeve, megjithatë shifrat janë në rritje.

Ministria e Shëndetësisë i bën apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerëve.
Çdo qytetar mbi 16 vjeç, mund të vaksinohet në qendrën shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit të përqëndruar. Vaksinat antiCovid reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet. Vaksinimi është i hapur edhe për fëmijët mbi 12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, me rekomandim nga mjeku. Gjithashtu ka nisur vaksinimi me dozën e tretë për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç që kanë kaluar 6 muaj nga kryerja e dozës së dytë.