Pas përfundimit të shtrirjes së rrjetit të ri të ujësjellësit në qytetin e Burrelit dhe rehabilitimin e rrjetit të ujërave të ndotura, vijon puna për riasfaltimin e të gjitha rrugëve. Për të parë nga afër punimet, ishte kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj i cili tha se finalizimi i projektit të ujësjellësit të ri që furnizon qytetin e Burrelit me 24 orë ujë të pijshëm është drejt fundit. Sipas tij, deri tani janë riasfaltuar rreth 40% e rrugëve të qytetit dhe puna do të vijojë pa ndërprerje. Malaj ju bëri apel drejtuesve të mjeteve që të mos lëvizin me shpejtësi në rrugët e qytetit pasi rrezikojnë jetën e qytetarëve, ndërsa u shpreh se me përfundimin e asfaltimit do të vendosen edhe pengueset e shpejtësisë si dhe sinjalistika horizontale.

  Riasfaltimi i rrugëve të brendshme të qytetit të Burrelit do të përfshijë çdo rrugë në të cilën janë bërë punime gjatë shtrirjes së rrjetit të ri të ujit të pijshëm.