Një nga veprat më të bukura monumentale të kohës kur vendi ynë drejtohej nga Ahmet Zogu, ura me harqe në Milot po i  nënshtrohet ndërhyrjes. Objekti në fjalë është monument kulture i kategorisë së parë dhe mbrohet me ligj.

Por vërshimet e ujërave të lumit Mat të pak viteve më parë rrezikuan seriozisht kontruktin e urës pasi njëra nga këmbët e saj në anën veriore thuajse u zhyt nën tokë.

Kjo alarmoi të gjitha strukturat për mbrojtjen e monumenteve të kulturës të cilat kërkuan ndërhyrje nga qeveria. Projekti u hartua nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe u financua nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Aktualisht puna është përqendruar për të ndërtuar mbajtësen e shtresës së urës në mënyrë që t’i jepet mundësia, ndërtimit të këmbës së re.

Ura në fjalë është dëmtuar që nga Janari i vitit 2021. Megjithë apelin e bërë nga institucionet e mbrotjes së monumenteve të kulturës dhe shoqëria civile, ndërhyrja erdhi pas 3 vite e gjysmë. Ura e Zogut është një kryevepër e inxhinierisë së ndërtimit të fillimit të shekullit të 20-të në Ballkan. E ndërtuar në vitin 1927 mbi lumin Mat, ura është e njohur për strukturën arkitekturore, gjatësinë dhe stilin e harqeve prej çeliku. Konsiderohet një arritje e rëndësishme në fushën e konstruksioneve metalike dhe strukturave prej betoni të ndërtuara mbi lumenjtë, në Evropën Jugore. Pritet që punimet të përfundojnë para se të nisin shirat e vjeshtës pasi fryrja e lumit Mat do të pengonte procesin.