Ndonëse mësimi i rregullt do të nisë me datë 27 Shtator, që nga data 1, të gjitha objektet arsimore duhet të jenë gati. Ministria e Arsimit ka vendosur që nga kjo datë deri në nisjen e vitit të ri shkollor, do të bëhet mësim plotësues. Bashkia e Klosit ka nisur punën prej një muaji për të bërë gati objektet arsimore. Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve dhe Infrastrukturës pranë kësaj bashkie, Jetmir Dedolli thotë se puna është ndarë në grupe duke i shtrirë ato në të gjitha shkollat e kësaj bashkie. Sipas tij, ky proces ka përfshirë lyerje, merimetime të mureve dhe bazës materiale, si dyer, dritare, tavolina etj.
Ndërkohë, puna në objektet arsimore po bëhet me anë të punëtorëve të ndërmarrjes së Shërbimeve. Bashkia ka blerë bazën e nevojshme materiale dhe ndërhyrjen e kryen me punëtorët e saj.
Në qytetin e Klosit shkolla e fundit që do të ndërhyhet në të për ta bërë gati për vitin e ri shkollor është ajo 9-të vjeçare “Shaban Çollaku”.