Ndotja nga mbetjet inerte, Bashkisë Bulqizë i del situata jashtë kontrollit
Bashkia e Bulqizës vijon të mos ketë një venddepozitim të mbetjeve inerte që dalin nga ndërtimet apo rikonstruksionet e objekteve të ndryshme në territorin e saj. Situata më kritike mbetet në fshatin Gjoricë e Poshtme ku shtrati i zallit të Bulqizës pranë rrugës së Arbrit vijon të mbushet me inerte që nuk dihet ende se nga kush janë hedhur. Megjithëse është bërë problem mediatik disa herë, situata në këtë pikë mbetet e pazgjidhur. Tre ditët e fundit këtu janë shtuar grumbujt e inerteve të dala nga rikonstruksioni i banesave të vjetra. Fakti që kjo zonë vijon të ndotet tregon qartë se institucioni vendor përgjegjës për ruajtjen e territorit nuk vepron. Grumbujt me inerte të ndryshme sa vijnë e shtohen, ndërsa nuk ka asnjë masë për largimin e tyre, apo gjetjen e fajtorëve. Siç duket nga pamjet, shumë prej grumbujve të inerteve janë krijuar kohët e fundit edhe pse ky shqetësim është ngritur disa herë nga banorët e zonës në media. Ndotësit shfrytëzojnë rrugën e Arbrit e cila kalon fare pranë shtratit të zallit të Bulqizës për të hedhur ndoshta në fshehtësi mbetjet që i prodhojnë nga rikonstruksionet e objekteve të ndryshme. Por fakti se ato depozitohen në fshehtësi qoftë edhe natën, nuk do të thotë se nuk mund të pikasen nga institionet vendore apo ata qëndrore në nivel vendor që mbrojnë mjedisin. Jashtë kameras banorët e Gjoricës e ngrejnë këtë shqetësim që ka çuar në ndotjen e ambjentit dhe ujërave përrreth, duke kërkuar reagimin e institucioneve të mbrojtjes së mjedisit për frenimin e këtij fenomeni.