Ndonëse rikonstruksioni i gjimnazit “Shaban Çollaku” në qytetin e Klosit ka nisur në mes të muajit Korrik, punimet kanë avancuar. Sipas përfaqësuesve të firmës që po zbaton projektin e rikonstruksionit total të kësaj godine arsimore, aktualisht procesi është mbyllur në masën 60%.
Në të gjithë ambjentet e brendshme të kësaj shkolle kanë përfunduar suvatimet dhe shtrirja e tubacioneve hidraulike e atyre elektrike. Po ashtu është në përfundim edhe ndërtimi i çatisë në të cilën janë lënë edhe oxhaqet në rastet kur sistemi i kaldajës të mos funksionojë.
Ndërkohë specialistët e Bashkisë së Klosit monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme procesin e punës, duke ndjekur hap pas hapi të gjitha etapat e rikonstruksionit.
Do Nga ana tjetër Bashkia e Klosit ka vijuar punën me përgatitjen e objekteve arsimore për të qenë gati me datë 16 Shtator, kur dhe do të nisë viti i ri shkollor 2019 – 2020. Sa i përket gjimnazistëve të cilët mësonin në godinën që po rikonstruktohet, ata do të mësojnë pasdite pranë shkollës 9- vjeçare “Tahor Hoxha”, deri në përfundim të këtij rikonstruksioni, i cili mendohet të shkojë deri në fund të muajit Tetor të këtij viti.