Vijon ndotja në Qaf Buall – Krastë, hidhen inerte dhe goma makinash

Vijon ndotja në Qaf Buall – Krastë, hidhen inerte dhe goma makinash

Goma automjetesh, bidona plastik e orendi shtëpijake janë panorama me të cilën përballesh teksa udhëton nga Qafa e Buallit në drejtim të Martaneshit. Ndonëse me zgjerimin e trasesë së rrugës, mbeturinat që ishin depozituar më parë u mbuluan nga dherat, të tjera mbetje vijon të hidhen aty. Për specialistët e mjedisit kjo ndotje nuk ka asnjë dyshim që shkaktohet nga banorë të Bulqizës të cilët hezitojnë të shkojnë deri tek pika e vendgrumbullimit që ndodhet 2 kilometra më larg, por i shkarkojnë aty. Sakaq, prania e mbeturina në këtë zonë është në dëm të banorëve të fshatit Plan i Bardhë të Bashkisë së Klosit për shkak se ujërat e shiut apo burimet e tjera mund të kontaminohen nga këto mbetje që hidhen pa kriter për shumë kohësh. Apeli i banorëve ka rënë në vesh të shurdhër pasi deri tani asnjë masë nuk është marrë. Inspektoriati i Mbrojtjes së Mjedisit nuk ka zhvilluar asnjë aksion për të identifikuar dhe ndëshkuar ndotësit e kësaj zone që për hirë të së vërtetës janë me shumicë. Situata nga mbetjet në këtë zonë do të degradojë akoma më shumë nëse ato do të vijojnë të hidhen nga persona të papërgjegjshëm të cilët nuk ndëshkohen nga organet shtetërore.