RRUGA QAF BUALL – BULQIZË NË GJENDJE TË DEGRADUAR, TOTALISHT JASHTË VËMENDJES
Rruga që lidh zonën minerare dhe Qafën e Buallit me lagjen e vjetër të qytetit të Bulqizës vijon të jetë në gjendje të degraduar. Qëkur kjo rrugë u hoq nga inventari i Autoritetit Rrugor Shqiptar, mirëmbajtja ka qenë thuajse zero. Drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë çdo ditë në këtë aks rrugor që janë kryesisht minatorët, por edhe banorë të tjerë të Bulqizës thonë se ky segment është kthyer në tmerr për shkak të gropave të mëdha dhe dëmtimit të asfaltit në të gjithë gjatësinë. Ata kërkojnë që rruga të rivishet pasi po vë në rrezik jetën e të gjithë drejtuesve të automjeteve që duhet të kalojnë detyrimisht në këtë segment rrugor, sidomos gjatë stinë së dimrit ku prania e akullit mbetet e vazhdueshme. Dëmtimi i rëndë i kësaj rruge shihet kryesisht pas reshjeve të shiut ku thuajse në të gjithë gjatësinë e saj ka prani të dukshme të gropave të mëdha. Bashkia Bulqizë sipas drejtuesve të mjeteve nuk duket askund për ta mirëmbajtur edhe pse rrruga është pranë qytetit.