Megjithëse është luftuar fort nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit që rrugët nacionale të jenë të pastra gjatë sezonit turistik, aksi nacional Klos – Burrel, vijon të mos ketë pamjen e dëshiruar nga ministri Blendi Klosi.
Kjo rrugë po ndotet çdo ditë e më shumë me hedhje të inerteve apo mbeturinave të ndryshme deri tek perimet e pashitura të tregtarëve apo fermerëve.
Këto imazhe jo vetëm që nuk i shërbejnë turizmit i cili tashmë është pothuajse në pikun e tij, por edhe mjedisit i cili në vend që të mirëmbahet, po ndotet në këtë mënyrë.
Kjo nuk është hera e parë që ky aks nacional ndotet nga mbetje të ndryshme sidomos nga inertet dhe mbeturinat plastike, por as edhe nga produktet e stinës që nuk gjejnë treg, por shkarkohen anash kësaj rruge që përdoret nga mijëra qytetar të Qarkut Dibër, por edhe të Maqedonisë së Veriut të cilët zgjedhin plazhet e detit Adriatik në vendin tonë për të kaluar pushimet verore.