Mbajtja pastër e mjedisit ku jetojmë e punojmë çdo ditë mbetet një sfidë në vazhdim për institucionet. Megjithë shërbimin e ofruar nga pushteti vendor me vendosjen e kontejnerëve apo koshave të vegjël në çdo rrugë, ndërgjegjësimi qytetar për t’i hedhur mbeturinat në vendet e caktuara mbetet ende një sfidë më vete.
Ndërkohë, Bashkia e Matit prej më shumë se katër vitesh vijon të aksionin me punonjësit e administratës si dhe të institucioneve në varësi, jo vetëm për të pastruar mjedisin, por edhe për të dhënë shembull që ambjentet ku jetojmë e marrim frymë t’i mbajmë sa më pastër.
Aksioni i administratës vendore u zhvillua në të gjitha rrugët e lagjet e qytetit të Burrelit, qendrat e njësive administrative etj. Ndërkohë institucionet e tjera qëndrore në nivel vendor e kanë zhvilluar aksionin pranë objekteve të tyre dhe në rrugën nacionale Burrel – Skuraj e Burrel – Ura e Lusës.
Ndonëse kjo nismë është direkt për qytetarët që të mbajnë pastër mjedisin ku jetojnë, as këtë të premte nuk pati qytetar që ju bashkua grupit të administratës për të dhënë shembullin e qytetarisë për një qytet të pastër.