Që prej datës 3 janar, ekipi i futbollit “Burreli” është rikthyer në stërvitje për të vijuar merkaton e dimrit në mënyrë që deri në rinisjen zyrtarisht të kampionatit të ketë bërë të gjitha lëvizjet e nevojshme.
Skuadra matjane, e drejtuar nga tekniku Klevis Hima, po vijon përgatitjet me dy seanca stërvitore në ditë. Gjatë këtyre ditëve të para të janarit ka patur një interesim të madh të futbollistëve të cilët kanë ardhur pranë “Burrelit” për tu testuar nga stafi teknik.
Ndërkohë, drejtues të Klubit të Futbollit “Burreli” thanë se merkatoja do të vijojë dhe se të gjithë sportistët do të vijojnë të testohen nga stafi e në fund do të vendoset për afrimet. Ajo që është e sigurtë deri tani, është se ky sezon do të ketë ndryshime në të gjitha repartet.
Ekipi i “Burrelit” synon blindimin e sulmit nga i cili ka vuajtur gjatë pjesës së parë të kampionatit, por ndryshime në formacion pritet të kenë të gjitha repartet, si me largime të futbollistëve që kanë luajtur deri tani, ashtu edhe me ardhjen e futbollistëve të rinj.
“Burreli” do ta rinisë pjesën e mbetur të kampionatit në vendin e 9 me 15 pikë të mbledhura në 16 ndeshje të luajtura.