Panairi i vjeshtës në Mat
Të dielën e 18 tetorit, në sheshin “Ahmet Zogu” të qytetit të Burrelit, Bashkia Mat organizoi panairin “Vjeshtë në Mat”, me pjesëmarrjen e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë bashkinë. Pjesëmarrës me produkte specifike në këtë panair ishin edhe biznese të agroturizimit e fermerë të trevës së Matit e më gjerë. Në stendat e vendosura përrreth sheshit “Ahmet Zogu” grupet pjesmarrëse kishin ekspozuar prodhimet e tyre të vjeshtës, punimet artizanale në veshje, enë balte si dhe prodhime të tjera bujqësore si në sektorin e bletarisë, vreshtarisë etj. Në orën 10:00 vizituan panairin “Vjeshtë në Mat”, edhe Kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni e deputeti Agron Malaj. Për kryebashkiakun Bojni një aktivitet i tillë është vazhdim i organizimeve të viteve të kaluara. Sipas tij, ky lloj panairi është kthyer në traditë dhe do të vijojë edhe në të ardhmen për shkak se synon promovimin e prodhimeve të zonës, tërheqjen e turistëve dhe nxitjen e prodhimit vendës. Veç ekspozimit të prodhimeve të ndryshme të zonës qoftë në sektorin e bujqësisë apo punimeve artizanale panairi solli në një kënd të tij edhe argëtim për fëmijët, me grupe animatorësh të ardhur enkas për këtë ditë festive në Burrel.