E ndërsa pritet që Autoriteti Rrugor Shqiptar ta marrë në inventar rrugën Lapidari Zenisht – Rrëshen, ura mes fshatrave Urakë dhe Perlat vijon të dëmtohet.
Sa herë ka reshje shirash, zgjerimi i zgavrës në hyrjen lindore të kësaj ure vijon të rritet. Kjo ndodh për shkak se ujërat e shiut rrjedhin mbi rrugë duke krijuar rrëke që shembin rërën poshtë asfaltit.
E njëjta situatë ndodh edhe me anën e poshtme të urës. Edhe pse zgarva këtu është më e vogël, rrjedha e ujit ka bërë punën e saj duke krijuar një hapsirë boshe të padukshme dhe shumë të rrezikshme për të gjithë ata që kalojnë mbi urë.
E teksa Autoriteti Rrugor Shqiptar pret që të miratohet propozimi nga Këshilli i Ministrave për ta marrë në pronësi këtë rrugë, ura po ju rrezikon jetën përdoruesve të saj pasi askush nuk ka ndërhyrë për të parandaluar shembjen totale të saj.
Që nga data 23 nëntor kur dhe “Mat Televizion” e trajtoi për herë të fundit dhe ARRSH deklaroi se ja kishte propozuar Këshillit të Ministrave për t’ja kaluar në inventar, ky organ ka zhvilluar dy mbledhje, por në asnjërën prej tyre nuk ka vendim për këtë rrugë, në mënyrë që të gjendjej një zgjidhje për ta shpëtuar me pak kosto.