Ka vijuar edhe këtë të premte që përkon me të fundit të muajit Janar, aksioni i pastrimit të mjedisit. Bashkia e Matit ka aktivizuar administratën për disa orë në mënyrë që jo vetëm të pastrohen hapsirat publike në qytetin e Burrelit, por edhe të jenë një shembull frymëzimi dhe ndërgjegjësimi për qytetarët që të mbajnë sa më pastër mjedisin. Ashtu si çdo herë tjetër, edhe këtë herë aksioni ishte i përqendruar në të gjithë territorin. Administrata e Bashkisë u përqendruar në rrugët e brendshme të qytetit të Burrelit.
Aksioni u zhvillua në çdo rrugë dhe hapsirë publike të qytetit, duke bërë që ai të merrte një pamje krejt tjetër pas heqjes së mbeturinave. Po ashtu, në këtë aksion për largimin e mbeturinave janë përfshirë edhe qendrat e njësive administrative të Bashkisë së Matit si dhe rruga nacionale. Pjesë e aksionit janë bërë edhe punonjësit e institucioneve qëndrore në nivel vendor. Aksioni mbart si qëllim mesazhin e mbajtjes sa më pastër të mjedisit, pasi është vënë re që edhe pse ka kontejnerë kudo, mbeturinat hidhen pa kriter.