Puna në rikonstruksionin total të gjimnazit “Shaban Çollaku” në qytetin e Klosit vijon pa ndërprerje. Në të tre katet e kësaj godine vijon puna në procese të ndryshme. Në katin e tretë ka nisur puna për lyerjen tavaneve dhe është bërë gati shtresa për vendosjen e pllakave.
Tashmë që sistemi hidraulik është montuar puna do të vijojë edhe për shtrirjen e rrjetit elektrik. Drejtues të punimeve pranë firmës që po zbaton projektin thanë se volumet më të mëdha të punës janë mbyllur. Në katin e parë të shkollës po punohet për vendosjen e dyerve të cilat do të jenë më të larta se ato që ka patur.
Ndërtimi i çatisë ka përfunduar, ndërsa janë ndërtuar edhe oxhaqe që në rast të mosfunksionimit të sistemit të kaldajës, ngrohja e ambjenteve të brendshme të bëhet me dru zjarri.
Drejtuesit teknik të zbatimit të projektit thanë se synojnë që punimet t’i mbyllin para afatit të përcaktuar në kontratë, për të ndihmuar kështu edhe nxënësit të cilët aktualisht e zhvillojnë mësimin në turnin e dytë në godinën e shkollës 9-vjeçare “Tahir Hoxha”.