Banorë e aktivist të shoqërisë civile në mbrojtje të mjedisit u mblodhën të dielën në një protestë në Dajç e Melth të Zall – Gjoçajt të Njësisë Administrative Derjan në Bashkinë e Matit, në mbrojtje të parkut kombëtarë Lurë – Mali Dejës. Fillimisht protestuesit me pankarta e banderola u tubuan pranë kantierit të ndërtimit në fshatin Dajç. Pjesë e kësaj proteste ishin edhe aktivistë politik të mbrojtjes së mjedisit dhe kundër politikave ekocidiste të HEC-eve prej lumit Valbonë e deri në Vjosë. Ata shprehën kundërshtimin e tyre për projketin në fjalë, kundërshtim të cilin e vazhdojnë edhe në gjykatë, ku në dy seancat e fundit, përfaqësuesit e firmës nuk janë paraqitur.

Më pas, protesta u zhvendos pranë çadrës së rezistencës të cilën banorët e kanë ngritur në fshatin Melth, aty ku sipas tyre nis edhe Parku Kombëtarë Lurë – Mali Dejës. Banorët dhe aktivistët shprehën vendosmërinë për të mos lejuar avancimin e punës nga ana e firmës. Ndërkohë ata shprehën shqetësimin që rruga e nisur poshtë çadrës së tyre, do të dëmtonte edhe varrezat e fshatit. Banorët dhe aktivistët pjesmarrës thanë se nuk do të lejojnë vijimin e punës për asnjë çmim. Protesta e të dielës u organizua nga ECO Albania dhe mbështetur nga LëvizAlbania.