Amy Acton shkruan histori në Ohio: Gruaja e parë Guvernatore e shtetit

Amy Acton shkruan histori në Ohio: Gruaja e parë Guvernatore e shtetit

Amy Acton ka fituar zgjedhjet për guvernatore në Ohio, sipas parashikimeve, duke u bërë gruaja e parë që pritet të drejtojë këtë shtet dhe demokratja e parë në dy dekada që fiton garën për këtë post.

Acton arriti të mposhtë kandidatin republikan Vivek Ramaswamy, i cili kishte mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump. Fitorja e saj konsiderohet një rezultat i rëndësishëm politik, veçanërisht duke pasur parasysh se Ohio ka votuar për Trump në tri zgjedhjet e fundit presidenciale. Në vitin 2024, republikani fitoi në këtë shtet me një diferencë prej 11 pikësh ndaj Kamala Harris.

Fushata zgjedhore u shoqërua me polemika të forta, pasi Ramaswamy publikoi një video ku shfaqej nëna e kandidates demokrate, Donna Arthur, duke e akuzuar të bijën se ishte një “gënjeshtare”.

Acton e kritikoi ashpër kundërshtarin e saj, duke e quajtur publikimin e videos "një gjë të tmerrshme, të shëmtuar dhe shfrytëzuese". Ajo theksoi se nuk e kishte takuar nënën e saj biologjike që prej moshës 12-vjeçare dhe se ajo e vëllai kishin përjetuar "abuzim dhe neglizhencë ekstreme" nga nëna dhe njerku i tyre. Ajo kishte deklaruar më herët se nëna e saj kishte mbyllur sytë ndaj abuzimit seksual që Acton kishte përjetuar gjatë fëmijërisë nga njerku i saj. Ky i fundit u arrestua më vonë dhe u akuzua për përdhunimin e saj.

Fushata e Ramaswamy-t shpenzoi 4 milionë dollarë për këtë reklamë, ku nëna e Acton, Donna Arthur, thoshte drejtpërdrejt para kamerës: "Nuk është e lehtë për një nënë ta thotë këtë, por Amy ishte një problem serioz. Ajo është gënjeshtare; ajo gënjen për të kaluarën e saj." Ramaswamy e pranoi se ishte një reklamë e fushatës së tij.

Publikimi i videos nga Ramaswamy shkaktoi reagime të shumta në skenën politike amerikane. Senatori republikan në largim i Ohajos, Mike DeWine, kërkoi që ai të tërhiqej nga gara. Megjithatë, Donald Trump i kërkoi Ramaswamy-t të mos tërhiqej, duke deklaruar se publiku duhej të dëgjonte edhe versionin e nënës së kandidates demokrate. Presidenti amerikan argumentoi gjithashtu se në një fushatë zgjedhore “çdo gjë lejohet”.