Krim brenda familjes në Bulqizë, nëna dhe djali dyshohet se vranë 62-vjeçarin Urim Fiku

Krim brenda familjes në Bulqizë, nëna dhe djali dyshohet se vranë 62-vjeçarin Urim Fiku

Zbardhet dinamika e rëndë e ngjarjes së ndodhur ditën e martë në fshatin Godvi të Bulqizës, ku mbeti i vdekur 62-vjeçari Urim Fiku. Policia ka arrestuar bashkëshorten dhe djalin e tij, të dyshuar si autorë të vrasjes, të cilët dyshohet se fillimisht e paraqitën ngjarjen si sulm nga një ari. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, pas një hetimi intensiv dhe ekzaminimeve mjekoligjore, u zbulua se 62-vjeçari nuk kishte humbur jetën nga sulmi i një kafshe të egër, por ishte vrarë me armë zjarri. Hetimet u zhvilluan nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë së Dibrës. Si rezultat i këtij hetimi, në pranga kanë rënë bashkëshortja e viktimës, Sadete Fiku 57 vjeçe, dhe djali i tij, Gazmir Fiku 33 vjeç, të dy banues në fshatin Godvi. Ata dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kanë vrarë 62-vjeçarin me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse. Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar një pistoletë model 54, me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete, e cila u gjet në oborrin e banesës. Këto materiale janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Ndaj dy të ndaluarve rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim. Materialet proceduriale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme. Brenda 24 orëve ngjarja e rëndë mori një kthesë të fortë nga dyshimet fillestare, pasi familjarët kishin raportuar se 62-vjeçari ishte sulmuar nga një ari teksa kulloste bagëtinë në një zonë pyjore të fshatit Godvi.