Tjetër ngjarje e rëndë në Bulqizë, shoku vret aksidentalisht shokun në gjueti

Tjetër ngjarje e rëndë në Bulqizë, shoku vret aksidentalisht shokun në gjueti

Vetëm 24 orë pas ngjarjes së rëndë të krimit brenda familjes në fshatin Godvi, një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të mërkurë në fshatin Fushë Sopot, të Bulqizës. Një 29-vjeçar dyshohet se është vrarë aksidentalisht me armë gjahu nga shoku i tij me të cilin kishin dalë për gjueti. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13 e 40 minuta të së mërkurës, në pyllin e fshatit Fushë-Sopot, Bulqizë, ku shtetasi Bledar Firi, 44 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se gjatë gjuetisë, duke qëlluar me armë gjahu në drejtim të një kafshe të egër, ka qëlluar nga pakujdesia shtetasin Elson Lala, 29 vjeç, banues në fshatin Strikçan, i cili, si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë në vendngjarje. Shtetasi Bledar Firi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, ndërsa arma e gjahut, e dyshuar si e përdorur në ngjarje, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Kujtojmë se një ngjarje e ngjashme është regjistruar një vit më parë në këtë zone, kur 36-vjeçari Vasil Kamberi u vra aksidentalisht nga kushuriri i tij Flamur Kamberi teksa kishin dalë në malin e fshatit Tërnovë për gjueti të kafshëve të egra.