Organizatat vendore të Peshkimit dhe inspektoriati i peshkimit në Qarkun Dibër paralajmëruan pak ditë më parë ndalimin e gjuetisë në liqenet Ulëz e Shkopet në periudhën e shumimit natyral të peshkut.
Ndërkohë mësohet se nga urdhëri i dalë nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledar Çuçi koha e ndalimit të gjuetisë në çfarëdo lloj forme është më e gjatë se vitet e kaluara. Kështu urdhëri parashikon që në liqenin e Ulzës gjuetia të ndalohet nga data 20 prill e deri në datën 31 Maj, ndërsa në liqenin e Shkopetit ndalimi i gjuetisë do të bëhet nga data 20 Prill deri me datë 30 Qershor.
Ndalimi i gjuetisë në këto dy liqene në periudhën e miratuar nga Ministri i Bujqësisë, Çuçi, do të monitorohet nga strukturat lokale të menaxhimit të peshkimit, pushteti vendor, efektivët e zonës, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit etj.
Të gjithë aktorët e bërë bashkë kanë nisur monitorimin duke dalë në kohë të pacaktuara në kontroll në të dy liqenet, ulëz e Shkopet. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit ndalimi i gjuetisë në këtë periudhë do të ndihmojë jo vetëm shtimin natyral të peshkut, por edhe të mbrojtjes së 100 mijë copë rasat që u hodhën pak muaj më parë në këto dy liqene.