Shirat e rrëmbyeshëm të rëna që nga mbrëmja e së shtunës kanë krijuar probleme në rrugën nacionale Skuraj – Peshkopi. Segmentet më problematike paraqiten Shkopet – Ura e Ulzës dhe Klos – Bulqizë ku ka rënie masive të gurëve.
Drejtuesit e mjeteve janë detyruar të lëvizin me shpejtësi shumë të vogël dhe vetëm në njërin kah për shkak të rrezikut të madh.
Ndërkohë në aksin Burrel – Klos, tre km në dalje të qytetit të Burrelit është shembur një mur mbrojtës i rrugës. Ndonëse aty është vendosur një shirit rreziku, mjetet i kalojnë fare pranë edhe pse muri e dheu vijojnë të shemben, siç duket edhe nga pamjet.
Për shkak të rritjes së prurjeve HEC-et Ulëz dhe Shkopet janë detyruar të nisin shkarkimet edhe pse mund të shkaktojnë përmbytje në Kurbin e Lezhë.