Një ditë më parë dy elektriçistë humbën jetën teksa punonin në një shtyllë të tensionit të lartë në Roskovec. Dy elektriçistët po punonin për llogari të Operatorit e Sistemit të Transmetimit të energjisë elektrike, kur shtylla në të cilën ishin ngjitur u këput në mes. Në fakt, këto shtylla të cilat gjenden në të gjithë vendin kanë probleme me mirëmbajtjen. Specialistët thonë se ato duhet të lyhen rregullisht në mënyrë periodike që të mos dëmtohen pasi jo vetëm rrezikojnë jetën e atyre që ngjiten në to, por edhe të banorëve të zonave ku kalojnë.
Gjatë një vëzhgimi të bërë në linjën e Operatorit të Sistemit të Transmetimit nga lugina e Matit deri në Bulqizë, vihet se re se këto shtylla janë të palyera e pjesën më të madhe të konstruktit të tyre i ka mbuluar ndryshku. Sadik Dauti nga fshati Vajkal i Bulqizës thotë se nuk e mban mend se kur është lyer për herë të fundit shtylla që ka sipër banesës së tij.
Burime pranë OST thanë se ka një projekt për lyerjen e këtyre shtyllave, por që në terren nuk ka asnjë punë të nisur për lyerjen e këtyre shtyllave.