Gjatë këtyre ditëve ku temperaturat kanë zbritur disa gradë nën zero, të gjithë ata që përdorin rrugën Lapidari Zenisht – Urakë – Rrëshen, po përballen jo vetëm me gropa të shumta e baltë, por edhe me akull në rrugë.

Siç duket nga pamjet ky segment rruge në afërsi të urës së Urakës mbulohet nga akulli çdo natë për shkak se pozicioni gjeografik nuk e favorizon nga rrezet e diellit gjatë ditës.

Edhe ai pak akull që mund të shkrijë gjatë ditës, në mbrëmje rikthehet pasi temperaturat zbresin disa gradë nën zero.

Jashtë kameras drejtuesit e mjeteve shprehen se kjo rrugë është shumë problematike pasi nuk ka asnjë lloj mirëmbajtje dhe sigurie.

Prania e akullit përbën rrezik të shtuar për ta pasi nëse nuk janë të vëmendshëm drejtuesit e mjeteve mund të pësojnë aksident. Megjithëse Autoriteti Rrugor Shqiptar është zotuar se këtë rrugë do ta marrë në inventarin e saj, deri tani nuk ka bërë asgjë, pasi rruga vijon të jetë në mëshirë të fatit dhe nën përgjegjësinë e askujt.

Ndërsa, banorët e shumë fshatrave të Matit por edhe ata që lëvizin drejt Mirditës apo Kosovës, duhet të përballen me gjendjen e degraduar të aksit, sa herë kalojnë në të.