BUlqiza është zona më e madhe mineralnxjerrëse në sektorin minerar e si e tillë ajo ka qenë gjithmonë pikë reference për të drejtat e punëtorëve të nëntokës. Madje deri në 10 vite më parë në qytetin e Minatorëve zhvilloheshin protesta të mëdha të organizuara nga sindikatat që flisnin në emrin e minatorëve. Por të paktën në 8 vitet e fundit në këtë qytet nuk janë zhvilluar më protesta masive edhe pse numri i jetëve të humbura në nëntokë ka qenë i lartë. Rastet më të freskëta janë të muajve të fundit e madje të ditëve të fundit. Me 29 Tetor të vitit të kaluar 3 minator humbën jetën në një galeri kromi në Selishtë të Dibrës e ndërsa vetëm 3 ditë më parë, Fiqiri Karaj u godit nga një masiv gurësh teksa ishte në frontin e punës. Ndërsa aksidentet me pasoja jo fatale në nëntokë janë pothuajse të përditshme, megjithëse shumica prej tyre nuk bëhen publike. Çuditërisht në këto vite sindikatat e krijuara dekada më parë nuk janë parë në Bulqizë, pasi në të kundërt do të shiheshin edhe në media apo faqet zyrtare në rrjetet sociale të tyre. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dhe Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, të cilat kanë me dhjetra minator anëtarë të tyre, nuk duken gjëkundi, të paktën edhe formalisht, e jo më të reagojnë ndaj jetëve të humbura. Minatorët e Bulqizës ndjehen të papqërfaqësues apo të pambështetur nga këto sindikata që emrin e tyre e rritën në krah të minatorëve.