Bllokohen kanalet kulluese në Shupenzë, ujërat e bardha përzihen me të zezat
Problemi me rrjetin e ujërave të ndotura në Shupenzë të Bulqizës ka qenë i kahershëm, duke shkaktuar pasoja të rënda në mjedis. Në periudhën e shirave por edhe të vaditjes, sistemi i kullimit të ujërave të bardha bllokohet, duke krijuar edhe përzierjen me ujërat e ndotura. Kjo bën që ato të rrjedhin lirshëm në sipërfaqe dhe pranë dyerve të banesave. Kjo situatë është krijuar edhe së fundmi në Shupenzë. Siç duket nga pamjet, ujërat kanë dalë në asfalt, duke krijuar një problematikë shqetësuese për banorët por edhe për drejtuesit e mjeteve. Këta të fundit shprehen se ky problem është i kahershëm dhe me gjithë ndërhyrjet e bëra nuk është zgjidhur ende ashtu siç duhet. Vetë drejtuesit e mjeteve kërkojnë që të merren masa dhe të sistemohet rrjeti i ujërave të ndotura por edhe atyre të bardha që situata të tilla të mos përsëriten më. Situata bëhet akoma më problematike me rritjen e temperaturave ku ujërat e zeza bëhen burim për infeksione të ndryshme.