Prej disa ditësh tribuna kryesore e stadiumit “Liri Ballabani” në qytetin e Burrelit po i nënshtrohet një rikonstruksioni pothuajse rrënjësorë. Veç hidroizolimit të tarracës dhe shkallëve, tribunës do t’i ndryshojë edhe streha e saj e cila ishte krejtësisht e dëmtuar që prej një viti.
Në ndjekje të punimeve që po kryhen aty ishte vetë kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj dhe Administratori i Klubit të Futbollit Burreli, Bajram Ballabani. Ata panë nga afër transformimin që po pëson ky objekt i rëndësishëm sportive në qytetin e Burrelit, duke piketuar edhe ndryshime të tjera të cilat do të bëhen para nisjes së sezonit të ri të kampionatit të kategorisë së parë në mesin e muajit shtator.
Veç merimetimeve apo sovatimeve të mureve të jashtme të saj, do të bëhet edhe lyerja e kangjellave, pankinave dhe mureve të tribunës. Po ashtu është vendosur që të ndërhyhet edhe në shkallët përreth stadiumit apo pistën përreth fushës.
Të gjitha punimet aty janë financuar nga donator të ndryshëm të cilët i janë përgjigjur kërkesës së bashkisë dhe klubit për të kontribuar.
Stadiumi do të jetë i gatshëm për të pritur ndeshjet që startojnë me 14 Shtator, si dhe ekipin që do të rikthehet përfundimisht në Burrel nga data 10 shtator.