Ngjarja e pazakontë, e denoncuar nga familjarët e të vetëvarurit Edmond Zogu, në fshatin Valikardhë të Njësisë Administrative Zerqan në Bashkinë Bulqizë, për hapjen dy herë brenda 40 ditëshit e varrit e të të ndjerit, ka kohë që ka vënë në lëvizje grupin hetimor pranë komisariatit të Policisë Bulqizë dhe Prokurorinë e Dibrës.
Pista kryesore sipas grupit hetimor është gërmimi i vendit të prehjes së të ndjerit Zogu nga kafshët e egra, pasi është konstatuar se thellësia e hapjes së varrit nuk ka qenë në parametrat e kërkuar.
Por familjarët e të ndjerit Zogu nuk e besojnë këtë hipotezë të hedhur nga grupi hetimor, pasi sipas tyre, ata e kanë gjetur varrin të shpartalluar dhe me pllaka të nxjerra jashtë, pllaka betoni këto që nuk mundet t’ë lëvizen nga kafshët e egra.
Familjarët e të vetëvarurit Edmond Zogu, kërkojnë mbi të gjitha nga organet kompetente shtetërore që të vërtetojnë nëse i afërmi i tyre që ka ndërruar jetë ekziston më në atë varr apo jo, gjë që do t’i jepte fund mjaft dilemave.
Gjithësesi Prokuroria e Dibrës po heton dhe në pista të tjera që mund të kenë çuar në dëmtimin e varrit të të ndjerit Zogu, me synim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të pazakontë në qarkunn e Dibrës.