Familja Toska prej 5 anëtarësh në fshatin Valikardh të Njësisë Administrative Zerqan në Bashkinë Bulqizë jeton aktualisht në një banesë të rrezikshme. Familjarët tregojnë se banesa e tyre pësoi dëmtime të mëdha edhe nga tërmeti i vitit të kaluar, duke e bërë atë akoma edhe më të pasigurtë për të jetuar në të.

Mes skamjes dhe varfërisë, 5 anëtarët e familjes së Altin Toskës, rrezikun më të madh kanë banesën e cila mund t’i zërë brenda nga momenti në moment. Vëllai i Altinit, Zabit Toska thotë se banimi në këtë godinë nuk ka asnjë siguri, ndaj kërkon ndihmën e instancave shtetërore e lokale.

E zonja e shtëpisë, Fidaije Toska thotë se e kanë të pamundur ekonomikisht të ndërtojnë një banesë të re, pasi ajo dhe bashkëshorti janë papunë. Ajo shprehet se për mungesë të ardhurash konsumojnë bukë misri pasi nuk kanë mundësi të blejnë miell gruri.

Gjendjen e vështirë ekonomike e tregojnë edhe pamjet filmike. Megjithatë, frika më e madhe mbetet për banesën pasi në rast të rënies së një dëbore të madhe, çatia mund t’i zërë brenda.