Vakuf, fshati që dikur prodhonte mijëra KV fruta, ndërsa sot braktisur totalisht
Dibra është e njohur për prodhimet e ndryshme bujqësore, ndërsa një vend të veçantë ka zënë edhe për frutikulturën, të cilën e ka pasur që para viteve 90-të. Në fshatin Vakuf, të Njësisë Administrative Kastriot, dikur prodhoheshin mijëra kuintal fruta të ndryshme, të cilat ishin jo vetëm për tregun vendës, por edhe eksportoheshin. Bajram Begu dikur ka qenë ekonomist në ndërmarrjen bujqësore Zdojan. Ai tregon se Vakuf prodhimi ka arritur deri në 25 mijë kuintal fruta. Veç parcelave të mbjella me pemë frutore, në zonë ka qenë edhe një fidanishte për prodhimin e fidanëve të rinj të varieteteve të ndryshme. Dikur në këtë fshat jetonin rreth 200 familje me rreth 1000 banorë, ndërsa sot kanë mbetur jo më shumë se 200 banorë. Toka sot punohet shumë pak dhe prodhimi po ashtu është i vogël e kryesisht grurë. Braktisja e fshatit duket jo vetëm nga magazinat që dikur mbanin mijëra kuintal fruta, por edhe nga banesat gjysmë të rrënuara. Në fshatin Vakuf sot vështirë të gjesh të rinj, ndërsa rrugët janë bosh dhe tek-tuk takon ndonjë të moshuar që fëmijët i ka në emigracion.