Bashkia mat vendos dy kontenierë tek burimi në vabli

Bashkia mat vendos dy kontenierë tek burimi në vabli

Duke marrë shkas nga situata problematike e ndotjes së mjedisit e krijuar prej disa muajsh në vendin e quajtur “Vabli”, në rrugën nacionale Burrel – Skuraj në Shkopet, Bashkia e Matit ka rivendosur dy kontenierë pranë burimit. Ai që ishte vendosur më parë nga bashkia ishte shembur nga persona të papërgjegjshëm ndërsa të gjithë ata që mbushnin ujë në këtë burim, hidhnin bidona plastikë poshtë rrugës duke krijuar një ndotje dhe pamje të shëmtuar të bregut të liqenit të Shkopetit.

Përfaqësues të mjedisit në Bashkinë Mat thanë se ky aks do të monitorohet vazhdimisht dhe se të gjithë ata që do të konstatohen duke hedhur mbeturina pa kriter do të ndëshkohen sipas dispozitave ligjore në fuqi. Lugina e Shkopetit mbetet ndër më të vizituara e rrethit të Matit ku me dhjetra turistë shkojnë aty çdo ditë për të vizituar natyrën e bukur të kësaj lugine.

Ndërkohë, shqetësues mbetet fenomeni i hedhjes së bidonave plastikë pranë burimit të ujit në Vabli, ku qytetarë të ndryshëm nga Miloti, Laçi e zona të tjera shkojnë çdo ditë për tu furnizuar me ujë të pijshëm.