Kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, Ervin Bushati, gjatë një interviste televizive deklaroi se pas zgjedhjeve të 25 prillit, Shqipëria do të ketë masa antikovid shumë herë më të lehtësuara, dhe kjo falë vendimmarrjes politike.
Ervin Bushati në fjalën e tij theksoi se vendi ynë do të hapet edhe më shpejt se shtetet e tjera të fuqishme si Gjermania, Franca apo Spanja.
Meritë për këtë, sipas tij, do të ketë procesi i shpejtë i vaksinimit.
“Më 26 prill do të zgjohemi të çliruar nga koronavirusi. Shqipëria do të hapet para Gjermanisë, Spanjës apo Francës, sepse po ecet shumë mirë me vaksinimin. Po e bëjmë me hapa shumë të shpejtë, është një arritje shumë e madhe për Shqipërinë. Më 1 qershor ne do të hapemi, do të funksionojmë si ekonomi, si shoqëri”, u shpreh Bushati.
Gjithashtu, kryetari i PS Tiranë dhe i 3 në listën e kandidatëve për Tiranën duke iu referuar PD theksoi se nuk duhet vlerësuar “pritja në radhë” por është puna ajo që ka më shumë rëndësi.
“Nuk duhet pritur radha, duhet vlerësuar puna. Po të priste në radhë e merrnin në 2027 këtë shans. Ndaj është e sigurt që në 1 qershor ne do të funksionojmë si më parë, pra si një shoqëri normale”-theksoi Bushati.