Gjatë muajit Maj banorët e zonëve rurale nuk kanë patur nevojë deri tani për ujë vaditës, kjo për faktin se ka patur reshje të vazhdueshme shirash. Megjithatë, prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu thotë se pushteti vendor në të katër bashkitë e qarkut ka nisur punën prej kohësh për të vënë në funksion veprat vaditëse. Sipas Shehut edhe nëse reshjet e shirave do të ndërpriten në ditët në vijim, me datë 1 Qershor të gjitha zonat rurale të qarkut do të kenë ujë vaditës për të mbjellat e tyre. Nga ana tjetër, Prefekti Nexhbedin Shehu tha se bashkitë kanë punuar për këto vepra vaditëse që të vihen në funksion qoftë duke i tenderuar me të tretë e qoftë me ndërmarrjet e tyre.

Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit muaji i fundit i pranverës është shoqëruar me reshje të shumta shirash, ku fermerët nuk kanë patur nevojë për ujë vaditës, madje janë ankuar se nga lagështia ju janë dëmtuar të mbjellat.