Kanali vaditës i klosit ka plotësuar deri tani të gjitha nevojat e vaditjes në luginën e Matit. Duke qenë se ai është vënë në funksion që para nisjes së sezonit të vaditjes, banorët që kanë kultivuar kultura të ndryshme bujqësore në këtë luginë shprehen se nuk kanë patur asnjë mungesë për vaditjen e tyre. Ferit Taka është një prej banorëve që i ka vaditur të mbjellat e tij rregullisht si rrallë herë. Ai shprehet se kanali vaditës ka qenë në funksion gjatë gjithë kohës dhe se 4 dynym tokë të mbjellë me misër e ka vaditur sa herë i është dashur bimës.

  Të gjitha parcelat e kultivuara kryesisht me misër që nga Klosi e deri në fshatin Zenisht duken që nuk kanë patur probleme sa i përket vaditjes. Banorët shprehen se duket që do të jetë një sezon i mbarë sa i përket sasisë së prodhimit që do të marrin nga të mbjellat e tyre të këtij viti.